Ju njoftojmë se në zbatim të Vendimit Nr.457, datë 09.07.2014, të Këshillit të Ministrave "Për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin Nr.1114, datë 30.7.2008 të Këshillit të Ministrave, i botuar në Fletoren Zyrtare Nr.112, datë 21.07.2014, duke filluar nga data 1 Gusht 2014 e në vazhdim, paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, do të jetë jo më pak se 19.406 (nëntëmbëdhjetë mijë e katërqind e gjashtë) lekë, ndërsa paga maksimale mujore do të jetë 97.030 (nëntëdhjetë e shtatë mijë e tridhjetë) lekë.
Për të vetëpunësuarin (person fizik), për vete dhe për punonjësit e papaguar të familjes me të cilët ai punon e bashkëjeton, kontributet e sigurimeve shoqërore llogariten mbi bazën e pagës mujore 19.406 lekë, ndërsa kontributet e sigurimeve shëndetësore llogariten mbi bazën e dyfishit të kësaj page e barabartë me 19.406 x 2 = 38.812 (tridhjetë e tetë mijë e tetëqind e dymbëdhjetë) lekë.
Për të punësuarit, marrëdhëniet e punës të të cilëve regullohen në bazë të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, "Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, paga minimale mujore, për llogaritjen e kontributeve, është ajo e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në zbatim të nenit nr.111, të ligjit të sipërpërmendur. Kjo pagë, sipas VKM nr. 573 date 03.07.2013 "Për përcaktimin e pagës minimale, në shkallë vendi", vazhdon të jetë 22.000 (njëzet e dy mijë) lekë. "
Paga maksimale mujore për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shëndetësore për të punësuarit, nga data 01.8.2014 e në vazhdim, është paga bruto, sipas përcaktimeve në pikën 1, të kreut II, të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 1114, datë 30.7.2008, i ndryshuar, pra pa kufi të sipërm të pagës.
Kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për personat e vetëpunësuar në veprimtari, tregtare apo shërbimi, ambulante, si dhe për personat, që punojnë si punëtorë shtëpie, nga data 01.08.2014 e në vazhdim do të jetë 4.070 (katër mije e shtatëdhjetë ) lekë nga të cilat, 2.750 (dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) lekë për sigurime shoqërore dhe 1.320 (një mijë e treqind e njëzet) për sigurime shëndetësore.
Zbatimi i V.K.M. nr.457, datë 09.07.2014, fillon me pagat e periudhës tatimore gusht 2014 e në vazhdim.
Burimi: tatime.gov.al